Kush është Jezus Krishti?
 
     

Është e padiskutueshme që pavarësisht se çfarë beson një njeri në lidhje me Jezus Krishtin, ai është njeriu më i famshëm në botë. John Lennon, anëtar i grupit “The Beatles” tha në vitin 1966 se “Ne tani jemi më të famshëm se Jezusi” dhe “Krishtërimi do të kalojë, do të zhduket dhe zvogëlohet. Nuk kam nevojë të debatoj për këtë. Unë kam të drejtë dhe kjo do të provohet” (Newsweek, 21 Mars, 1966). Kjo ngjalli një pakënaqësi të madhe sidomos në Amerikë, protesta dhe bojkotime të albumeve të Beatles, gjë që e detyroi John Lennon të dalë në televizor dhe të lëpinte çdo gjë që kishte vjellë. Vras mendjen çfarë mendon John Lennon tani? E di, e di që ka vdekur, por trupi i tij ka vdekur, shpirti i tij nuk ka vdekur. Një ditë ai do të dalë përballë Jezus Krishtit vetë dhe do të ketë mundësi të shfaqë famën e tij!

Është qesharake dhe idiotike të thuash që Beatles ishin më të famshëm se Jezus Krishti. Doni t’i krahasojmë? Ok, le ta provojmë. 2000 vjet pas lindjes së Krishtit, ai adhurohet çdo ditë të javës nga të gjithë popujt e botës. 2000 vjet pas lindjes së tij njerëzit kanë shkruar dhjetëra mijëra këngë adhurimi ndaj tij që këndohen në çdo gjuhë të botës. Sa këngë janë shkruar për Beatles? Sa veta mblidhen çdo të Dielë në të gjithë botën dhe këndojnë këngë për Beatles? Edhe sot ka pak veta që akoma dëgjojnë këngët e tyre, por pas 200 vjetësh Beatles do gjenden vetëm në librat e historisë! Krishtërimi ka rezistuar 2000 vjet histori dhe vazhdon të qëndrojë. Nuk ka asnjë njeri që mund të pretendojë të qëndrojë para Krishtit e të krahasohet me të. Tek Gjoni 8:46 Jezusi u tha dëgjuesve të tij: “Cili nga ju më bind për mëkat? Nëse flas të vërtetën përse nuk më besoni?” Çfarë shprehje! Cili nga ju më bind për mëkat?! Nëse unë do ta thoja këtë gjë do ishin të paktën 1000 gishtërinj të drejtuar ndaj meje për mëkatet e mia, kurse Jezusi i sfidon ata që e kundërshtonin duke i ftuar të gjenin një mëkat në jetën e tij dhe askush nuk e bëri dot. Cili njeri tjetër mund të bënte një sfidë të tillë?

Cili ishte ky njeri që është figura më e debatueshme në gjithë historinë e njerëzimit? Hipotezat janë po aq të shumta sa edhe kundërshtarët e tij. Disa e shohin Jezusin si një filozof, disa të tjerë si një profet të Zotit, disa si një të çmendur, disa si një gënjeshtar, të tjerë e pranojnë atë si një krijesë të Perëndisë, të tjerë thonë që ai ishte Perëndia vetë i shfaqur në mish, disa thonë, duke shfaqur paditurinë dhe injorancën e tyre për faktet historike, se ai nuk ka egzistuar fare, është thjesht një përrallë e sajuar. Atëherë ku ta dimë se kush është Jezus Krishti? Kush mund të na tregojë më mirë sesa vetë thëniet e tij për vetveten se kush ishte ai. Nëse burimi i informacionit për të marrë një vendim se kush ishte Jezus Krishti nuk është Bibla, atëherë njerëzit do vendosin të besojnë çfarë duan ata të besojnë për Jezusin. Nëse ju e refuzoni Biblën si fjalën e Perëndisë, atëherë nuk keni si te dini se kush është Jezus Krishti. Në qoftë se refuzoni dëshminë e njerëzve që ecën me të, jetuan me të, panë mrekullitë që bëri Ai, dhe dhanë edhe jetët e tyre për Atë, atëherë nga mund ta dini të vërtetën? Ju padyshim që keni lirinë që ta refuzoni Biblën si Fjalën e Zotit, por të paktën nuk mund të thoni që Bibla nuk thotë gjëkundi që Jezusi ishte vetë Perëndia i shfaqur në mish, ashtu siç pretendojnë mjaft njerëz. Por nëse dëshironi të dini nga Bibla se kush është Jezus Krishti atëherë le të shikojmë këtë në hollësi.

Bibla thotë se Jezusi është Perëndia vetë i shfaqur në mish:

1 Timoteut 3:16

Dhe s`ka asnjë dyshim se misteri i mëshirës është i madh: Perëndia u shfaq në mish, u shfajësua në Frymë, u duk ndër engjëj, u predikua ndër johebrenj, u besua në botë, u ngrit në lavdi.

Lexoni vargun më lart dhe shikoni nëse vargu nuk thotë që Jezusi është Perëndia i shfaqur në mish. E theksojmë këtë, sepse mjaft njerëzve u ngrihen qimet përpjetë kur dëgjojnë një gjë të tillë. Nëse ju nuk e pranoni këtë, kjo do të thotë se nuk e besoni Biblën, sepse po ta besonit, vargu e thotë këtë qartë.

Tani, disa gjëra duhen theksuar në lidhje me këtë varg. Së pari, vargu thotë që ky është një mister, jo sepse nuk e di njeri, por sepse vetëm ata që e besojnë atë, mund ta dinë këtë mister. Së dyti, vargu tregon qartë, se ky mister është i madh, dmth, ka disa gjëra që nuk mund t'i kuptojmë në lidhje me këtë mister. Së treti, siç e theksuam më lart, vargu thotë që Perëndia u shfaq në mish. Le ta shpjegojmë këtë më qartë. Perëndia u shfaq në mish, do të thotë që Jezusi pati një formë trupore si të gjithë njerëzit e tjerë. Pra, Jezusi kishte dy natyra, ai ishte 100% njeri, dhe 100% Perëndi. Si njeri, Jezusi hante, flinte, u lodh, pati etje, vdiq në kryq. Si Perëndi, Jezusi, fali mëkatet e njerëzve, bëri mrekulli të pabëra më parë, pranoi adhurimet e njerëzve, shpëtoi njerëzit nga dënimi në ferr për mëkatet e tyre, etj. E theksojmë këtë dallim dhe natyrën e dyfishtë të Jezusit, sepse të gjithë ata që nuk besojnë se Jezusi është Zot, gjejnë ato vargje që flasin për anën njerëzore të Jezusit dhe debatojnë që ai nuk ishte Zot. Midis këtyre grupeve përmendim Muslimanët, Dëshmitarët e Jehovait, dhe Mormonët. Nëse kupton faktin që Ai ishte 100% njeri dhe 100% Perëndi, atëherë nuk ka problem për t'i shpjeguar ato vargje. Megjithatë, akti i shfaqjes së Perëndisë në mish, siç thotë vargu më sipër, është mister, ne si njerëz nuk mund ta kuptojmë plotësisht. Por kjo nuk do të thotë që nuk është i vërtetë.

Le te shikojmë një pasazh tjetër të ngjashëm:

Gjoni 1:1,3,14

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë. Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne …

Jezusi në Bibël referohet me mjaft epitete të ndryshme. Këtu Ai quhet Fjala. Duket qartë në vargun 1 që flitet për vetë Perëndinë, ashtu si në vargun 3 ku shpjegohet që flitet për Perëndinë, sepse Ai krijoi gjithçka. Në vargun 14, thuhet që Fjala (Perëndia, pra) u bë mish dhe banoi ndër ne.

Këtu thuhet shumë qartë që Perëndia që krijoi gjithçka (v1,3) u bë mish dhe banoi ndër ne, (v.14) dhe nëse ka ndonjë dyshim se për kë flitet lexoni kontekstin (v.10-18).


Isaia 40:3

Zëri i dikujt që bërtet në shkretëtirë: "Shtroni udhën e Zotit, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë.

Mateu 3:3

Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: ``Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"``.

Libri i Isaia-s u shkrua rreth 700 vjet para Krishtit, dhe në profecinë e tij, ai flet për ardhjen e Perëndisë. Tek Mateu 3, Gjon Pagëzori, i referohet kësaj profecie duke thënë qartë që ajo profeci po flet për Jezusin. A nuk është kjo e qartë që Jezusi është vetë Perëndia?


Isaia 9:5

Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.

Këtu jepet një profeci tjetër, në lidhje me lindjen e Jezusit. Për të sqaruar më tej se kush ishte ky fëmijë që lindi në Betlehem, Isaia tregon cilësitë e tij, duke e quajtur atë, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm. Vargje të tillë i bëjnë mjaft njerëz që t'u ngrihen qimet përpjetë, sepse nga që s'duan të besojnë se cili është Jezusi, i vjen inat që vargje të tilla egzistojnë, dhe patjetër do gjejnë një justifikim për t'i refuzuar disi.


Isaia 7:14

Prandaj vet Zoti do t`ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.

Mateu1:23

``Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t`i venë emrin Emanuel, që do të thotë: "Zoti me ne".

Më shqip nuk thuhet. Emanuel, emri që vetë Zoti lajmëroi që ta quanin Jezusin, do të thotë (lexoje) “Zoti me ne”.


Osea 1:7

Përkundrazi do të kem dhembshuri për shtëpinë e Judës dhe do t`i shpëtoj me anë të Zotit, Perëndisë së tyre; nuk do t`i shpëtoj me harkun as me shpatën apo me betejën, as me kuajt ose me kalorësit".

Titi 2:13

duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.

Tek Osea është Zoti që do të jetë shpëtimtari i njerëzve, por tek Titi thuhet që i vetmi shpëtimtar është Jezus Krishti. Si mundet të dyja të jenë të vërteta nëse nuk flitet për të njëjtin person?


1 Korintasve 15:47

Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë është Zoti nga qielli.

Që kur qënka Zoti nga qielli bërë njeri? Vargu (lexo kontekstin) po flet qartë për Jezusin.


Veprat 20:28

Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij.

Këtu thuhet që Perëndia e fitoi kishën me gjakun e vet. Po pse paska gjak Perëndia? Patjetër që po flitet për Jezusin dhe gjakun që ai derdhi në kryq. Si mundet të refuzojë një njeri i ndershëm vargje të tilla dhe të thotë që Bibla nuk thotë se Jezusi është vetë Perëndia?


Marku 2:7

``Pse vallë ky po flet blasfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?``.

Shumë prej njerëzve që panë dhe dëgjuan Jezusin, thanë gjëra të ngjashme me këtë varg. Padyshim që Jezusi nuk po blasfemonte, por ai i fali mëkatet pikërisht sepse ishte vetë Perëndia. Këtu s'ka asgjë për t'u çuditur.


1 Mbretërve 8:39

ti dëgjoje nga qielli, nga vendbanimi yt, dhe fal, ndërhy dhe jepi secilit sipas sjelljes së tij, ti që njeh zemrën e secilit; (në të vërtetë vetëm ti ua njeh zemrën gjithë bijve të njerëzve),

Ezekieli 11:5

Pastaj Fryma e Zotit ra mbi mua dhe më tha: "Thuaj: Kështu thotë Zoti: Ju thoni kështu, o shtëpi e Izraelit, dhe unë i njoh gjërat që ju shkojnë në mend.

Luka 5:22

Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, e mori fjalën dhe tha: ``Ç`po arsyetoni në zemrat tuaja?

Gjoni 2:24-25

por Jezusi nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë, dhe sepse nuk kishte nevojë që ndokush të jepte dëshmi për njeriun, sepse ai e dinte ç`kishte përbrenda njeriut.


A nuk thuhet qartë që vetëm Zoti mund ta dijë se çfarë kanë njerëzit në zemër dhe çfarë mendojnë ata? Por nga ana tjetër, vargjet e fundit tregojnë që Jezusi kishte këto aftësi. A është kjo një kontradiktë? Aspak, Jezusi është vetë Perëndia i shfaqur në mish, për çdo njeri që di të lexojë.


Psalmi 97:9

Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.

Gjoni 3:31

Ai që vjen nga lart është përmbi të gjithë; ai që vjen nga dheu është nga dheu dhe flet për dheun; ai që vjen nga qielli është përmbi të gjithë.

Ja që Zoti qëndron mbi të gjithë ata që njerëzit i quajnë Perëndi (Zeusi, Allahu, Baali, mendja e njeriut, shkenca, paraja, etj). Dhe ky Zot, që është përmbi të gjithë, është Ai që erdhi nga qielli në Tokë, Jezus Krishti.


Isaia 44:6

Kështu thotë Zoti, mbreti i Izraelit dhe Çliruesi i tij, Zoti i ushtrive: "Unë jam i pari dhe jam i fundit, dhe përveç meje nuk ka Perëndi.

Zbulesa 1:17,18

Dhe kur e pashë, rashë para këmbëve të tij si i vdekur. Dhe ai vuri dorën e tij të djathtë mbi mua, duke më thënë: ``Mos u tremb! Unë jam i pari dhe i fundit, dhe i gjalli; isha i vdekur, por ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve, amen.

Zbulesa 22:13

Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit``.

Shikoni sa qartë është thënë. Zoti thotë që Ai është i pari dhe i fundit, dhe përveç Atij nuk ka Perëndi tjetër. Nga ana tjetër, Jezusi tha që Ai ishte i pari dhe i fundit, dhe si i tillë, i vetmi Perëndi.

Isaia 6:1-3

Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin. Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte. Njeri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: "I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij".

Gjoni 12:41

Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të.


Tek Isaia 6 thuhet që profeti Isaia pa Zotin të ulur në fronin e Tij. Tek Gjoni 12:41 thuhet që Isaia po fliste për Jezusin, kur pa lavdinë e tij. Cili është ai njeri që ka kaluar klasën e dytë fillore dhe di të lexoje këto vargje, që të mos kuptojë, se Jezusi është Zoti i gjithësisë? Të gjithë ata që e kanë zemrën të mbyllur.

Joeli 2:32

Dhe do të ndodhë që kushdo që do t`i drejtohet emrit të Zotit do të shpëtojë, sepse në malin Sion dhe në Jeruzalem do të ketë shpëtim, siç e ka thënë Zoti, edhe për ata që kanë mbetur gjallë dhe që Zoti do t`i thërrasë".


Romaket 10:9,10,13

sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh. Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim, Në fakt: ``Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet``.


Citimi nga Romakët 10 ka të bëjë me Jezusin (lexo vargjet më lart) dhe është një citim direkt nga Dhjata e Vjetër, ku thuhet qartë që po flitet për Zotin. Nëse Jezusi nuk është Zot, atëherë si shpjegohen vargjet e mësipërme?


Predikuesi 12:14

Sepse Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë që është fshehur, qoftë e mirë apo e keqe.

2Timoteut 4:1

Po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij:

2Korintasve5:10

Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen.

Tek Predikuesi 12 thuhet që Perëndia do të gjykojë njerëzit për çdo gjë që kanë bërë, por tek 2Korintasve thuhet që Jezusi është Ai që do t'i gjykojë. Pra është e qartë që Jezusi është vetë Perëndia.


1Samuelit 2:2

Nuk ka asnjë të shenjtë si Zoti, sepse nuk ka asnjë tjetër veç teje, nuk ka asnjë shkëmb si Perëndia ynë.

Veprat 3:14

Por ju e mohuat të Shenjtin, të Drejtin, dhe kërkuat që t`ju jepej një vrasës.

1Samuelit thotë që asnjë nuk është i shenjtë si Zoti, dhe tek Veprat e Apostujve, duke folur për Jezusin thuhet, se Ai është i Shenjti (në trajtën e shquar).


Zanafilla 1:1

Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.

Nehemia 9:6

Vetëm ti je Zoti! Ti ke bërë qiejtë, qiejtë e qiejve dhe tërë ushtrinë e tyre, dheun dhe tërë ato që qëndrojnë mbi të, detet dhe gjithçka që është në ta. Ti i mban gjallë tërë këto gjëra dhe ushtria e qiejve të adhuron.


Gjoni 1:3

Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.

Kolosianeve 1:16

sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të.


Perëndia është krijuesi i gjithë universit, dhe ky Perëndi është vetë Jezus Krishti, sipas vargjeve të mësipërme.


Të gjitha referencat e dhëna më sipër thonë qartë që Jezusi është vetë Perëndia i shfaqur në mish. Këto vargje janë vetëm një pjesë e vargjeve që vërtetojnë këtë doktrinë. Pse nuk japim më tepër? Sepse këto vargje mjaftojnë për çdo njeri që do të dijë të vërtetën. Nëse një njeri refuzon vargje të tilla, padyshim që do refuzojë vargje të tjera. E theksojmë, që vendimi se cili ishte Jezusi nuk varet nga sa vargje kemi dhënë apo nuk kemi dhënë këtu, ne gjykojmë që këto janë të mjaftueshme, vendimi varet nga qëndrimi dhe zemra e atyre që lexojnë këtë artikull.

Padyshim që ky artikull krijon pyetje të tjera. Ne do mundohemi që të pasurojmë arkivën e artikujve me ato pyetje që bëhen me shpesh, apo që kanë më interes. Nëse ju keni një pyetje, ju lutem na shkruani dhe ne do t'ju japim përgjigjen me kënaqësi.

Çfarë kuptimi ka që Jezusi ishte Perëndia në mish? Në fund të fundit pse duhet të vinte Perëndia në formë njeriu?

Një studim i hollësishëm i Biblës na mëson që ardhja e Jezusit ishte pjesë e planit të Perëndisë për shpëtimin e botës nga mëkatet e tyre. Bibla mëson se të gjithë njerëzit kanë mëkatuar, dhe për shkak se Perëndia është i shenjtë, atëherë njerëzit nuk mund të kenë bashkësi me Perëndinë. Gjatë Dhjatës së Vjetër (para ardhjes së Jezusit), Perëndia dha disa rregulla dhe ligje nëpërmjet kombit të Izraelit. Këto rregulla tregonin se sa larg ishte njeriu prej shenjtërisë së Perëndisë. Megjithëse këto ligje ishin të shenjta, ato nuk u dhanë për shpëtimin e njerëzve, sepse asnjë njeri nuk ishte në gjendje që të zbatonte ato rregulla 100%. Njerëzit atëherë duhet të flijonin mjaft flijime para Perëndisë (p.sh një qengj), për mëkatet e tyre, si një dëshmi që ata ishin mëkatarë, dhe se mëkati kërkon një pagesë. Ato ligje u dhanë në mënyrë që njerëzit të kuptonin se ishte e pamundur që ata të arrinin drejtësinë e Perëndisë me anë të zbatimit të këtyre ligjeve, sepse standarti që Perëndia kërkonte ishte shumë i lartë.

Prandaj Jezusi erdhi në formë njeriu. Ai u lind nga një virgjëreshë, dhe Ai ishte Njeriu-Perëndi. Ai ishte i vetmi që jetoi një jetë pa mëkat, dhe si i tillë, ishte i vetmi që mund të bëhej ura lidhëse midis Perëndisë dhe njerëzve, sepse ai ishte 100% njeri dhe 100% Perëndi, dhe ishte i vetmi pa mëkat. Asnjë njeri nuk mund të vdesë për mëkatet e dikujt tjetër, sepse ata kanë mëkatet e tyre. Por meqënëse Jezusi ishte pa mëkat, atëherë Ai ishte i vetmi që mund të merrte dënimin e mëkateve të botës mbi veten e Tij.

Në këtë pikë shumë njerëz pyesin, pse duhet të vdiste dikush në fund te fundit? A nuk mundet Zoti t'i falë mëkatet? Në fund të fundit vetëm krishtërimi mëson një gjë të tillë, të gjitha fetë e tjera thonë që po të bësh më shumë të mira se të këqija, atëherë Zoti t'i fal ato mëkate që ke bërë.

Kjo është pyetje shumë e mirë, por megjithëse duket sikur është e drejtë në të vërtetë nuk është ashtu. Çfarë do të thotë që t'i falë Zoti mëkatet, që Ai të mbyllë sytë para tyre? Mëkati duhet dënuar, sepse një Zot i shenjtë nuk mundet ta lejojë mëkatin të banojë në prezencën e Tij. Ideja e shumë njerëzve për “faljen e mëkateve” nga Zoti, nuk ka të bëjë asgjë me faljen, ajo ka të bëjë me anashkalimin, dhe Zoti nuk e bën një gjë të tillë. Dikush duhet të paguajë për mëkatet e bëra. Tek Galatasve 2:21 Bibla thotë:


Unë nuk e hedh poshtë hirin e Perëndisë sepse, në qoftë se drejtësia vjen me anë të ligjit, atëherë Krishti ka vdekur më kot.


Vargu thotë qartë që nëse ne do të mund të shkonim në parajsë dhe të fitonim drejtësinë që Perëndia kërkon që njerezit të jetojnë në prezencën e Tij me anë të ligjit, pra zbatimit të disa urdhërimeve (bëj këtë, mos bëj atë), atëherë, Krishti ka vdekur kot, sepse ne mund të bënim këtë pa vdekur ai. Por problemi qëndron në faktin se Zoti është i Shenjtë dhe nuk toleron dot asnjë mëkat. Në këtë gjë shfaqet dashuria e Perëndisë ndaj krijesës së Tij, saqë Ai erdhi në formë njeriu, dhe mori atë dënim që të gjithë njerëzit do merrnin në përjetësi për mëkatet e tyre, dhe në këtë mënyrë krijoi rrugën e vetme për shpëtim. Ne nuk themi se kjo është e vetmja rrugë për shpëtim që të përçmojmë çdo filozofi tjetër, por sepse Bibla e mëson këtë. Perëndia na deshi aq shumë saqë nuk kurseu asgjë për shpëtimin tonë. E vetmja pjesë që na ngelet ne, është thjesht që zgjasim dorën dhe ta pranojmë këtë dhuratë. Ne nuk e meritojmë dot, prandaj Zoti na e jep si dhuratë. Duke vënë besimin tonë te ajo që Jezusi bëri në kryq për ne, dhe duke besuar me gjithë zemër që Ai vdiq për të paguar për mëkatet tona, duke iu lutur Atij që të na falë mëkatet, ne marrim shpëtimin që Perëndia do që ne të marrim. Perëndia nuk detyron asnjë njeri që ta marrë një vendim të tillë, por dëshiron që ne të mos paguajmë vetë për mëkatet tona, por të pranojmë dashurinë e tij. A e keni marrë ju këtë vendim? Zoti ju do dhe ju pret krahë hapur. Zoti ju bekoftë.

   

 
 

Artikuj PyetjeKomenteFotografiKontakt

©2003 Albavizion.com. Çdo material i botuar ne kete website eshte shkruar nga Albavizion.com, me perjashtim te artikujve qe thone ndryshe. Ne rezervojme te gjitha te drejtat e autorit. Ne inkurajojme vizitoret qe te perdorin keto materiale per qellimet e tyre, me leje nga Albavizion.com. Asnje referim i ketij materiali nuk mund te perdoret jashte kontekstit te shkrimit dhe per qellim abuzimi , keqperdorimi, ose disktretitimi kundrejt Albavizion.com.